Share

“Arsimi, kohezioni social dhe rimëkëmbja e gjelbër janë prioritetet kryesore për qytetarët shqiptarë”, thuhet në raportin e Qendrës Zhvillimore të OECD-së

 

17/05/2022 – Arsimi cilësor, kohezioni social dhe rimëkëmbja e gjelbër u identifikuan si aspektet më të rëndësishme për të krijuar mundësi të reja dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe në Shqipëri, sipas botimit të dytë të Rishikimit Multidimensional (MDR) të Ballkanit Perëndimor, të prezantuar sot në Tiranë.

Shqipëria ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm në trajektoren e saj të zhvillimit. Gjatë dekadave të fundit, Shqipëria ka shënuar progres mbresëlënës në rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj. Me rritjen e prodhimit të brendshëm bruto për frymë dhe rritjen e konsumit familjar, është ulur përqindja e familjeve të privuara materialisht. Nga ana tjetër, varfëria e skajshme është shumë e ulët dhe jetëgjatësia po rritet. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të forcuar kapacitetet vendase. Rezultatet e të nxënit, të matura nga Programi i OECD-së për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA), janë përmirësuar me shpejtësi. Shqipëria ka një terren  të shkëlqyer për të çuar përpara rrugën e rimëkëmbjes së gjelbër, duke pasqyruar progresin mbresëlënës të shënuar në vitet e fundit në aspekte të ndryshme. Në vitin 2020 Shqipëria miratoi Ligjin për Ndryshimet Klimatike dhe ishte ekonomia e parë në Ballkanin Perëndimor që në dhjetor të vitit 2021 miratoi Planin e saj Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (PKEK). Në vitin 2017, Shqipëria ishte një nga ekonomitë e para të Ballkanit Perëndimor që prezantoi ankandet për energjinë e rinovueshme nga dielli dhe era.

 Megjithatë, ka ende sfida socio-ekonomike dhe mjedisore për ekonominë. Pavarësisht performancës pozitive të punësimit në vitet e fundit, vendet cilësore të punës janë të pakta, dhe si papunësia e të rinjve edhe ajo afatgjatë janë të larta. Kjo gjë ushtron presion në sistemin e mbrojtjes sociale. Mungesa e aftësive të përshtatshme  është një pengesë madhore. Shumë kompani në Shqipëri raportojnë se nuk mund të krijojnë vende pune pasi nuk gjejnë fuqi punëtore të kualifikuar për plotësimin e tyre. Rreth 25% e sipërmarrjeve të anketuara së fundmi, identifikuan fuqinë punëtore të formuar jo në mënyrën e duhur si pengesë madhore (të tretën më të rëndësishmen) për biznesin. Kur bëhet fjalë për tranzicionin e gjelbër, politikave për energjinë dhe klimën nuk u është dhënë përparësia e mjaftueshme, dhe zbatimi i politikave mbetet shpesh pas. Investimet te energjia nga dielli dhe era pengohen nga disa faktorë: aksesi i vështirë në financim; ndërgjegjësimi i ulët publik për përfitimet nga energjia e rinovueshme; dhe mungesa e personave me aftësitë përkatëse. Raportohet se përhpja së fundmi e hidrocentraleve të vegjël (HEC) po dëmton mjedisin, sidomos për shkak të planifikimit dhe monitorimit të dobët.

Rishikimi Multidimensional i Ballkanit Perëndimor propozon prioritete për forcimin e perspektivave zhvillimore të Shqipërisë.

Ngritja e kompetencave kryesore të studentëve dhe të të rriturve është çelësi për të krijuar mundësi për qytetarët. Nxitja e aftësive digjitale duhet të jetë një prioritet kryesor, duke pasur parasysh sektorin në lulëzim të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri. Duke qenë se dy ministri të veçanta janë përgjegjëse për kompetencat në fushën e arsimit, ekziston mundësia që të përmirësohet qeverisja nëpërmjet koordinimit efektiv dhe koherencës së politikave. Shqipëria duhet të përmirësojë edhe cilësinë dhe tërheqjen e arsimit dhe formimit profesional (AFP), një zë kyç i arsimit për të ofruar aftësi të të qenit gati për punë. Rritja e bashkëpunimit ndërmjet AFP-së dhe sektorit privat do të ishte mjaft e rëndësishme. Duke pasur parasysh ritmin e shpejtë të progresit teknologjik dhe nevojat në ndryshim  të biznesit, krijimi i mundësive më të mira për të nxënit e të rriturve është po ashtu jetik për ngritur kompetencat e fuqisë punëtore aktuale.

Për të nxitur kohezionin social, sigurimi i mënyrave për integrimin në shoqëri dhe në tregun e punës të atyre më në nevojë është një prioritet për Shqipërinë. Harmonizimi i politikave dhe programeve të punës dhe mbrojtjes sociale në hartim dhe në nivel operacional është një hap i rëndësishëm për t’iu përgjigjur kësaj sfide. Së fundmi, Shqipëria po zbaton  një set gjithëpërfshirës të programeve të mbrojtjes sociale; megjithatë, mbulimi dhe përfitimet e pabarabarta i lënë shumë qytetarë të cenueshëm dhe pa siguri të mjaftueshme shoqërore.

Së fundi, ajër më i pastër dhe më shumë akses në energji të qëndrueshme janë çelësi për të përmirësuar cilësinë e jetës në Shqipëri dhe për ta bërë atë një vend tërheqës për të jetuar, punuar dhe investuar. Duke marrë në konsideratë potencialin e madh depozitues hidroenergjetik, Shqipëria ka kapacitet të mjaftueshëm depozitues bazë për të zëvendësuar importet e saj të energjisë elektrike me energji të rinovueshme sezonale vendase. Shqipëria mund të shqyrtojë mundësinë e potencialit të saj depozitues hidroenergjetik (përfshirë hidrocentrale me sistem pompimi) duke u shndërruar në një “bateri të gjelbër” për rajonin më gjerë. Duke stimuluar përdorimin e më shumë makinave me eficiencë energjie dhe duke modernizuar sistemin e saj hekurudhor, Shqipëria mund të reduktojë ndjeshëm ndotjen e ajrit dhe emetimet e gazeve serrë nga sektori i saj i transportit me përdorim të madh energjie. Për të siguruar se progresi është i matshëm, duhet të forcohen kapacitetet për monitorimin e cilësisë së ajrit. Për të reduktuar ndikimet në mjedis të projekteve infrastrukturore energjetike, sidomos të hidrocentraleve të vegjël, këto projekte duhet t’i nënshtrohen vlerësimeve të vazhdueshme të ndikimit mjedisor. Në nivel më të përgjithshëm, duhet të zhvillohen më tej kuadro rregullatorë dhe financues për energjinë e rinovueshme dhe eficiencën e energjisë në ndërtesa.

 

Rishikimi Multidimensional (MDR) i Ballkanit Perëndimor ndërthur vlerësimet e pesë ekonomive: Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Serbi.

 

Për më shumë informacion, gazetarët ftohen të kontaktojnë Zyrën e Shtypit të Qendrës Zhvillimore të OECD-së. Bochra Kriout (bochra.kriout@oecd.org ; Tel.: +33 145 24 82 96).

 

 

 

Related Documents